Kandidati për deputet nga radhët e Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti lidhur me “podrumet”, duke thënë se krahasime të tilla prekin rëndë dhimbjen e banorëve të Poklek.

Përmes një postimi, Haxhiu ka kujtuar masakrën e Poklekut, duke theksuar se podrumet e shtëpive të atij fshati “ishin të mbuluara me gjak”.

Ai ka deklaruar se banorët e Poklekut janë të lënduar nga deklaratat e Kurtit, pasi sipas tij, ato janë bërë pa menduar për dhimbjen që shkaktojnë krahasimet e pavenda.

“Një fjalë e urtë thotë: ‘Gjaku s’bëhet ujë…’”, ka shkruar Haxhiu.

Në postimin e tij, kandidati i PDK-së ka falënderuar banorët e Poklekut për mobilizimin, duke bërë thirrje për ndryshim politik në vend.

“STOP KRIZËS, NDRYSHO KOSOVËN!”, ka përfunduar ai postimin e tij, duke promovuar edhe kandidaturën e Bedri Hamza.