Haxhiu e befasuar që Kadaj-Bujupi nuk votoi pro Qeverisë Hoti

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, është shprehur e befasuar që bashkëpartiakja e saj, Donika Kadaj-Bujupi nuk ka votuar pro Qeverisë Hoti, por në momentin e votimit ka liruar sallën.

Në Interaktiv të KTV-së, Haxhiu ka thënë se deputetja Kadaj-Bujupi asnjëherë nuk ka shprehur ndonjë hezitim për të votuar këtë qeveri ku AAK-ja është partnere me LDK-në e Nismën.

“Një qeveri për të qenë legjitime i mjaftojnë votat që ka marrë Qeveria Hoti (61). Ajo që ka ndodh me kolegen tonë, asnjëherë në grupin tonë s’është diskutuar një problem i tillë apo hezitim i koleges për të votuar Qeverinë Hoti. Kjo s’ka ndodhur, dhe sot në pozitën siç ishim të ulur për shkak të situatës me pandeminë, ajo ishte pas meje dhe s’e kam vënë re kur ka dalë. E di që ka hyrë, dhe ishte e relaksuar dhe nuk e kam dëgjuar që heziton në votimin e kësaj qeverie. Dua të them që secili kemi garuar brenda listës së një subjekti politik, në listën e AAK-së dhe kemi fituar besimin për t’i përfaqësuar qytetarët. Ata na mbajnë përgjegjës dhe kushdo që del jashtë subjektit politik, duhet të shohë vetveten. Do të ishte shumë më transparente që kur ka pakënaqësi t’i bëjë publike ato”, ka deklaruar Haxhiu.

Duke komentuar një postim të Kadaj-Bujupit se Vjosa Osmani e LDK-së është anashkaluar me përzgjedhjen e Hotit si kandidat për kryeministër, Haxhiu ka thënë se “Hoti tani është kryeministër i Kosovës dhe se është anëtar i LDK-së e jo i AAK-së”. Edhe këtë postim e ka quajtur befasi.

Haxhiu është shprehur se partia e saj do të mbajë përgjegjës ministrat për çdo veprim, teksa ka shtuar se sfida e parë e Qeverisë Hoti është kalimi i pandemisë e më pas rimëkëmbja ekonomike.

Të mërkurën Hoti u bë kryeministër me 61 vota, minimum i asaj që duhet për të formuar qeverinë. Nga koalicioni LAN kjo qeveri nuk mori votën pro nga 6 deputetë. Hoti u bë kryeministër pasi Gjykata Kushtetuese shpalli kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi që anëtari i LDK-së të mandatohet për kryeministër, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti në fund të marsit.