Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas intervistimit nga Prokuroria Speciale i cili zgjati rreth dy orë ka thënë se ajo asnjëherë s’ka thënë se Serbia ka ndikim në burgjet e Kosovës.
Haxhiu, para gazetarëve ka thënë se deklarata e saj u ndryshua nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e disa analistë politik.
“Unë asnjëherë s’kam thënë që Serbia ka ndikim në burgjet e Kosovës. Këtë e ka thënë PDK-ja përmes konferencës për media dhe po ashtu disa analistë politik të cilët qëllimesh kanë keqinformuar”.
Ajo theksoi se në raste të tilla Prokuroria Speciale do të duhej ta ftonte atë për bashkëpunim institucional.
“Është për t’u duartrokitur që me interes të madhe më përcjellin edhe në studio televizive. Unë jam ministre e Drejtësisë, pra udhëheq një ministri në kuadër të Republikës së Kosovës, pas reagimit tim në rrjetin social ‘Facebook’ ka qenë e udhës të më ftoj në kuadër të bashkëpunimit institucional”.
“Por, përpjekjet e tyre që të intervistohem në cilësinë e dëshmitares tregojnë shumë edhe për qasjen që kanë edhe për motivet e tyre”, deklaroi Haxhiu para gazetarëve.
Haxhiu, ka shtuar se intervistimi i saj është “tendencioz” dhe se dikujt është duke i penguar puna e Qeverisë së Kosovës.
“Ne e kemi obligim t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat ju tashmë e dini se po punojmë në vazhdimësi dhe duket se dikujt po i pengon siç duket Prokuroria Speciale po tenton të më pengojë në punën time me ç’rast e keni parë që çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë autorizim policinë për ta marrë deklaratën time”.







