Haxhi Shala: Nisma jo me PDK-në, edhe vetë ata duan të shkojnë në opozitë

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, i ftuar në emisionin Dpt te Fidani, në televizionin T7, ka thënë se partia e tij nuk duhet të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, dhe se kjo e fundit vetë do që të shkojë në opozitë në mënyrë që të konsolidohet.

Shala tha se Nisma Socialdemokrate duhet të shkojë e vetme në zgjedhje për shkak se kjo është kërkesa e elektoratit të partisë, dhe se të gjitha partitë duhet të maten para popullit dhe se sipas tij ka pasur ministra që nuk janë matur me votë.

“Flas atë që e kam dëgjuar tek elektorati i Nismës, i gjithë elektorati është që Nisma të shkojë e vetme në zgjedhje, e jo të na ndodhë të hyjmë në qeveri e të kemi ministra që s’jan matur në elektorat. Elektorati i Nismës kërkon që të hyjmë vetë në zgjedhje.” tha ai.

I pyetur rreth një mundësie që partia e tij të futej në një koalicion me partinë e Kadri Veselit, ai tha se është kundër çdo koalicioni e aq më shumë kundër një koalicioni me PDK’në.

“Jam kundër koalicionit me të gjitha partitë e aq më shumë me PDK’në” tha ai.

E sipas Shalës, tani partia e tij ka kohë e jo si në herën e kaluar kur koalicioni u bë në momentet e fundit

“Në zgjedhjet e mëhershme u bë koalicioni pak para orës 00:00 e nuk dinim çfarë është bërë sepse besimin ja dhamë kryetarit të partisë. Tani kemi kohë të mendojmë, nuk na nevojitet kohë vetëm para orës 00:00”

Ndërsa sipas tij, qytetarët e Kosovës tani jo vetëm qytetarët duan ta shohin PDK’në në opozitë por edhe vetë PDK’ja po kërkon që të dalë në opozitë.

“Edhe qytetari po kërkon që ajo parti të shkojë në opozitë, edhe të gjitha partitë politike. Vetë PDK është e gatshme të shkojë në opozitë për konsolidim.” shtoi Shala

Ai gjithashtu la të kuptohej se nëse Nisma Socialdemokrate hyn në koalicion me PDK’në, ai mund të japë dorëheqje nga partia.

“Nuk shkojmë me PDK’në, Haxhi Shala nuk shkon me PDK’në, nuk dal kundër dëshirës ose qëndrimit të elektoratit” tha Shala.

loading…