Haxhi Krasniqi: Jam krenar që shtetit të Kosovës ia solla titullin e botës

Haxhi Krasniqi e kishte ndier “në dorë” se ka dhënë goditjen e duhur në fytyrën e Dominic Boeselit. Nuk ishte goditja që e mbajti të shtrirë gjermanin, por ajo që ia dridhi këmbët atij. Nuk vonoi dhe Krasniqi e dha “goditjen e karrierës”. Një kroshe e fuqishme gjeti kokën e Boeselit që pas saj mbeti në dysheme. Nuk u ngrit më.

Krasniqi nisi festën emocionale e në një moment mbajti në duar edhe flamurin kombëtar shqiptar. Ai po realizonte synimin dhe ëndrrën që e ka për një dekadë e gjysmë. U bë shqiptari i parë me titull të botës në boksin profesionist.

Të shtunën mbrëma në Magdeburg të Gjermanisë, Krasniqi nokautoi Boeselin në raundin e tretë dhe fitoi titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA, në kategorinë gjysmë të rëndë. Po ashtu e fitoi titullin e botës në versionin IBO, që nuk është në mesin e katër versioneve të forta të boksit profesionist, por vjen menjëherë pas tyre.

Të dielën kampioni Krasniqi është marrë me dhënien e intervistave. E kanë intervistuar edhe shumë media gjermane, që nuk e kanë respektuar gjithnjë. Por me paraqitjen e së shtunës në Magdeburg, junikasi Krasniqi, që tashmë njihet me emrin Robin, ka fituar respektin që ai vlerëson se e meriton.

“Shumë e kanë pritur mirë paraqitjen time. Ua ka hapur sytë. Por edhe historia ime i ka bërë për vete, ka 15 vjet që ëndërroi për këtë gjë”, ka thënë Krasniqi të dielën për KOHËN.

Ai nuk është ndalur vetëm me ëndërrim. Ka punuar shumë për të realizuar ëndrrën. Ka sakrifikuar po ashtu. Nuk e ka pasur të lehtë. Si kosovar, është dashur të ndërroja emrin, të bëja meçe shumë më tepër se të tjerët, të arrija fitore të shumta e të duroja padrejtësitë. Ka ndërruar kategorinë, ka ndërruar trajnerë, por ëndrrës i ka mbetur besnik.

Në tentimin e tretë ka fituar titullin e botës, ndonëse është i përkohshëm, përkatësisht një nga tre titujt e botës të versionit WBA. Rasti për t’u përballur me Boeselin i erdhi thuajse papritur Krasniqit, por ai e shfrytëzoi maksimalisht atë. Gjermani 30-vjeçar, Boesel, e kishte fituar titullin e përkohshëm në versionin WBA më 16 nëntor të vitit të kaluar. Dështoi në tentimin e parë për ta mbrojtur atë.

Krasniqi ishte stabil në dy raundet e para në meçin në Magdeburg, ndërsa në të tretin dha goditjet shkatërruese.

“Kam qenë maksimalisht i fokusuar në luftë për titull. Isha i matur, nuk kam dhënë deklarata bombastike, kam mbyllur rrjetet sociale dhe kam pritur momentin. Isha i gatshëm për një fillim të ri, kisha koncentrimin e duhur. Faza përgatitore ka qenë shumë e suksesshme. Kam bërë shumë punë, por jam shumë krenar që më në fund e kam realizuar atë që kam dashur, e kam fituar titullin e botës”, ka shtuar Krasniqi. 33-vjeçari ka 51 fitore e gjashtë humbje. 19 prej fitoreve i ka arritur me ndërprerje.

Karrierën e kishte nisur më 20 tetor të vitit 2005. Kishte nisur pa bazë në boksin amator. Dhe kjo e ka penalizuar shumë. Në vitet e fundit ka gjetur trajnerin që i është përshtatur dhe ka prekur nivelin e synuar. Vjet i kishte operuar dy bërrylat e po ashtu u kthye në kategorinë gjysmë të rëndë duke shmangur telashet me peshë. Dhe kjo i ka ndihmuar të jetë në formën më të mirë, formë që ia solli titullin.

Ndaj gjermanit Boesel, Krasniqi e ka pasur planin që të rrezikojë më shumë se zakonisht. Ishte i vetëdijshëm se ndaj një gjermani dhe ndaj kampionit në fuqi duhet të shfaqë shumë më tepër për të fituar titullin. Edhe Krasniqi bokson për Gjermaninë, por trajtimi megjithatë nuk është i njëjtë.

“Plani ka qenë që të rrezikojë dukshëm më tepër se deri më tani. Raundet e para është dashur të jenë për të kuptuar lëvizjet e kundërshtarit, por natyrisht gjithnjë në kërkim të situatës. Prej raundit të pestë është dashur të bombardojë me goditje. E kam ditur se lufta do të përfundojë me nokaut në njërën anë. Në raundin e tretë erdhi rasti dhe e shfrytëzova maksimalisht. Dhe vërtet përfundoi me nokaut”, ka treguar Krasniqi.

“Goditja e parë ishte vendimtare, ndonëse gjyqtari në ring nuk ia numëroi Boeselit. E kam ndier në dorë që kam dhënë goditjen e duhur. Ajo ishte vendimtare, e ka dridhur rivalin, ia ka humbur gjithë energjinë. E kam ditur menjëherë se nuk duhet të ndalem, duhet t’i shkoj deri në fund. Isha i uritur për atë fitore. Dhe menjëherë kam dhënë goditjen tjetër, goditjen më të mirë dhe më të rëndësishme në karrierë. Kam dhënë shumë goditje, por asnjëherë si kjo “.

Krasniqi do të pushojë disa ditë, do të sjellë brezat e kampionit në Kosovë dhe më pas do të vazhdojë punën për sfida të ardhshme. Është maksimalisht i uritur për edhe më tepër sukses, ndonëse synimin e ka arritur.

“I kam qëndruar shumë besnik synimit që e kisha prej ditës së parë. Kam vuajtur shumë, por nuk kam hequr dorë. E kam pranuar se për të shkruar histori duhet të durohet dhimbja. Çdo humbje që kam pësuar më ka kthyer tre vjet prapa. Por nuk jam ndalur, nuk jam dorëzuar. Kam qenë i vendosur që të sjell titullin e botës në Kosovë e Shqipëri. Jam aq krenar që shtetit të Kosovës ia sjell titullin e botës”, ka theksuar Krasniqi.

Në versionin WBA janë tre kampionë në kategorinë gjysmë të rëndë, njëjtë si në kategoritë e tjera. Krasniqi tani mban titullin e përkohshëm të botës, Jean Pascal i Kanadasë është kampion i botës, ndërsa rusi Dmitry Bivol është superkampion. Madje ky version, njëri prej katër kryesorëve, në disa kategori i ka edhe nga katër tituj, duke e shtuar edhe atë “Gold”.

Prej boksierëve shqiptarë për titull të botës kanë luftuar edhe Luan Krasniqi, Shpend Abazi, Edis Tatli e Shefat Isufi. Por ata kanë dështuar në luftërat për titull. Haxhi Krasniqi është i vetmi që ka luftuar më shumë se një herë. Dhe i pari që e ka fituar titullin e botës. Ka shkruar histori.