Haxhi Krasniqi ankohet në federata për humbjen ndaj Boeselit

Ish-kampioni i botës në versionin IBO në kategorinë gjysmë të rëndë, Haxhi Krasniqi, ka njoftuar se është ankuar në federata ndërkombëtare për vendimin e gjyqtarëve që i dhanë fitoren Dominic Boeselit në ndeshjen e fundjavës.

Krasniqi humbi përballjen me Boeselin 2:1 me vlerësim të gjyqtarëve, luftë kjo e vlefshme për titullin e botës në versionin IBO në kategorinë gjysmë të rëndë dhe eliminator për titullin WBA.

Pas meçit, Krasniqi ishte ankuar menjëherë, ndërsa tani ka njoftuar në Facebok se ka bërë edhe ankesë në federata.

“Në karrierën time të gjatë si boksier profesionist, kam përjetuar zhgënjime, por më i madhi në jetë ishte të shtunën, kur juria e caktoi Dominik Boeselin fitues”, ka thënë ai.

Teksa ka thënë se ka dominuar vazhdimisht në meç, Krasniqi e ka quajtur skandaloz rezultatin e jurisë. Madje është ankuar edhe në veprimet e gjyqtarit në ring që s’ka hequr pikë të kundërshtarit për goditjet pas koke.

“Këto fakte do të dëshmojnë se vendimi i jurisë dhe ai i gjyqtarit në ring s’ishin objektivë, as neutralë e as fer, dhe këto s’kanë vend në sport. Për këtë s’mund të pranoj humbje të tilla. Do të luftoj për të drejtën time deri në fund, siç bëra në ring, ashtu do të bëj edhe jashtë ringut! Tashmë kam marrë hapat e parë duke u ankuar në federatat përgjegjëse. Besoj fuqishëm që drejtësia do të triumfojë një ditë”, ka thënë Krasniqi në Facebook.

Ishte meçi i dytë mes Krasniqit e Boeselit. Në përballjen e parë më 10 tetor të vitit të kaluar, Krasniqi kishte fituar me nokaut në raund të tretë, duke ia fituar Boeselit titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA dhe atë IBO.

Për Krasniqin është humbja e shtatë në karrierë karshi 51 fitoreve. Boeseli ka shënuar fitoren e 32-të karshi dy humbjeve.