Haskuka: Memoriali i dy pilotëve amerikanë u dëmtua nga kushtet atmosferike, jo nga dikush

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes një shkrimi ka njoftuar se memoriali i dy pilotëve amerikë, është dëmtuar nga kushtet atmosferike. Derisa gjatë ditës ka pasur reagime të shumta lidhur me dëmtimin e këtij memoriali.

“E vërteta e dëmtimit të këtij memoriali është se ka ndodhur për shkak të kushteve atmosferike, dhe jo për shkak të dëmtimeve të qëllimshme prej ndonjë personi. Kjo është dëshmuar edhe pas verifikimit në terren nga zyrtarët komunalë”, ka shkruar Haskuka.

Ndërsa fajin për këtë rezultat, Haskuka ia atribuoi qeverisjeve të kaluara të Komunës së Prizrenit. Por, sipas tij, Komuna e Prizrenit sivjet ka paraparë në buxhetin e saj edhe rregullimin e këtyre memorialëve.

“Përndryshe, fatkeqësisht edhe ky memorial është në gjendje të mjerueshme sikurse shumë memorialet e tjera, për shkak të punëve jokualitative dhe të mangëta që janë bërë gjatë ekzekutimit në të kaluarën. Për këtë arsye, Komuna e Prizrenit sivjet ka paraparë një kod të veçantë buxhetor për rregullimin e këtyre memorialëve”, shkroi Haskuka.

“Fillimi i këtyre punimeve është vonuar për shkak të vonesës së buxhetit dhe situatës së krijuar nga pandemia, por me të kaluar kjo periudhë do të fillojmë menjëherë me rregullimin dhe mirëmbajtjen e të gjitha monumenteve në komunën tonë, duke filluar nga memoriali në Lez, e deri tek ky memorial i dy ushtarëve amerikanë”, përfundoi Haskuka.

Kujtojmë se pilotët amerikanë David A. Gibbs dhe Kevin L. Roichert vdiqën gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Haskukës: