Hasani flet për vendimet që po ua rrëzon Kushtetuesja Qeverisë Kurti: Problemi është te juristët që i këshillojnë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se sulmet e akterëve politikë ndaj këtij institucioni janë të papranueshme.

Ai tha se përgjatë këtyre 15 viteve, vendimet e Kushtetuese janë sulmuar e kundërshtuar, por “në përgjithësi janë respektuar nga institucionet”.

Hasani, i ftuar në Klan Kosova iu kundërpërgjigj kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se Gjykata Kushtetuese po ia rrëzon projektligjet që po i sjell Kuvendi i Kosovës.

Sipas Hasanit, problemi qëndron te juristët që i këshillojnë qeveritarët. Madje, ai u shpreh se Komisioni i Venecias po lexohet gabimisht nga pushteti kur thotë se ua ka thënë dritën jeshile për ligjin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, që u rrëzua nga Kushtetuesja.

“E tha dikush dje në media, problemi nuk është te këta të politikës, por te ata që i kanë afër, juristët që i këshillojnë ata. Gjëja themelore e demokracive kushtetuese liberale është kjo, kushtetuta buron nga populli, është abc-ja që duhet ta kuptojë gjithkush. Komisioni i Venecias që po e lexojnë gabim, nuk është ashtu, s’e ka marrë (dritën e gjelbër). Po manipulojnë, Komisioni nuk e ka thënë, nuk është burim i së drejtës”, tha Hasani.

Mes tjerash, ai tha se deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për aktgjykimin e Kushtetueses për KPK-në janë të parëndësishme.