Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, shpreson se Harry Kane do të rikuperohet në kohë për të luajtur në finale të Ligës së Kampionëve më 1 qershor, mirëpo vetë anglezi pret që ta ketë të vështirë ta zë një vend në formacionin e parë.

Lucas Moura ishte heroi i Tottenhamit në ndeshjen e mbrëmshme gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi që het-triku i tij ia siguroi klubit të Premierligës një vend në finale të këtij sezoni.

Lucas bashkëpunoi me Son Heung-Min në fazën e sulmit për Tottenhamit, në mungesë të Harry Kane, i cili ka munguar në skuadrën e klubit londinez që nga prilli, për shkak të një lëndimi të kyçit të këmbës.

“Shpresoj se do të jem gati për finale. Rikuperimi po më shkon mirë. Fillova të vrapoj në vija të drejta këtë javë. Nuk dua të marr ndonjë rrugë të shkurtë. Do ta shohim. Deri tani gjithçka ka shkuar mirë. Nëse vazhdon kështu, shpresoj se do të jem gati”, ka thënë Kane.

“Lucas shënoi het-trik, ne e mposhtëm Manchester Cityn në çerekfinale e Ajaxin në gjysmëfinale. Unë duhet të kthehem edhe më fuqishëm në stërvitje dhe ta dëshmoj veten para trajnerit. Shpresoj se do të jem gati dhe do ta zë një vend në formacionin e parë”.