Haradinaj u shkruan zviceranëve: E kam gatin FSK-në që të ndihmojë në gjetjen e Floriana Ismajlit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se i ka shkruar një letër ambasadorit zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ku i ka shprehur gatishmërinë që Forca e Sigurisë së Kosovës të ndihmojë në gjetjen e futbollistes Floriana Ismaili, e cila është zhdukur në liqenin Como

Haradinaj ka treguar se Kosova është e gatshme ta dërgojë FSK’në për gjetjen e futbollistes Ismaili e cila është raportuar e zhdukur nga dita e shtunë.

“I shqetësuar me lajmin për humbjen e Floriana Ismailit, që konsiderohet e zhdukur që nga e shtuna në Liqenin Como, sot i kam shkruar letër ambasadorit zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebet. Si një vend partner me Zvicrën, pas konsultimit me Ministrinë e Mbrojtjes, kam shprehur gatishmërinë, që njësia e specializuar e Forcës së Sigurisë së Kosovës për Kërkimin dhe Shpëtimin të marrë pjesë në operacionin për shpëtimin e futbollistes së kombëtares zvicerane në futboll”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Futbollistja nga Kosova, e lindur dhe rritur në Zvicër, është zhdukur që nga e shtuna pasdite në liqenin e Comos në Itali, ku kishte shkuar me një mike të saj.

Pasi kishte kërcyer nga anija në ujë, më nuk është shfaqur dhe nga ai moment rezulton e zhdukur. Zhdukja e saj është bërë lajm botëror në mediat më të njohura të globit.

Ato kanë shkruar për futbollisten e Përfaqësueses së Zvicrës dhe ekipit Young Boys, por e kanë përmendur edhe faktin se ajo ka prejardhje nga Kosova.

Ekipet e shpëtimit nga Zvicra po e kërkojnë 24 vjeçaren, ndërsa është angazhuar edhe një robot për të kërkuar në thellësinë prej 100 metrash, sa vlerësohet i thellë ky liqe.

Bota e futbollit, por edhe sportit në përgjithësi është shokuar me lajmin për zhdukjen e Florijanës.