Haradinaj: T’i bëjmë fjalët vepra, të zgjidhim problemin e pensionistëve kontributdhënës

Shefi i Grupit Parlamentari të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me çështjen e pensionistëve kontributdhënës, që po diskutohet tani në Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj, në Kuvend tha se janë rreth 2,000 njerëz që mund të përfitojnë nga ndryshimi i ligjit. Por, ai shprehi pakënaqësinë me faktin që ligji është i bazuar në ligjet ish-jugosllave.

“Janë rreth 2,000 persona qe mund të përfitojnë nëse përmirësohet ligjit. Një fakt është që ky ligj bazament e ka ligjin e ish-Jugosllavisë, dhe është ligj diskriminues”, tha ai.

Haradinaj, po ashtu, kërkoi që të veprohet shpejt dhe që diskutimet të bëhen veprime.

“Duhet të jepen afatet se deri kur duhet të shkojë diskutimi. Qe një kohë të gjatë jemi duke bërë deklarata publike, por ndryshimet nuk janë duke ndodh. Ky ligj duhet të trajtohet nga ekspertët që e njohin këtë fushë”, tha ai.

Deputeti Haradinaj tha se duhet të ulet edhe kriteri prej 15 vjetëve për stazh të punës në 10 vjet. “Kërkesa eksplicite është të ulet stazhi i punës nga 15 në 10 vite. Ata persona, pra rreth 2,000, nuk janë ndonjë dëm i madh për buxhetin e Republikës”, tha ai.