Haradinaj thotë se njohja e Serbisë duhet të vije si kërkim falje, jo duke dhënë tokë

Me rastin e 8 Marsit, kryeministri Ramush Haradinaj ka shkuar për një takim me qytetarët në Suharekë.

Haradinaj ka thënë se Kosova tanimë ka vënë themelin e shteti dhe prandaj duhet të jenë më të bashkuar se kurrë dhe të palëkundur.

“Themeli i shtetit tanimë vetëm se ekziston, por duhet ta ruajmë. Duhet të tregohemi të palëkundur dhe më të bashkuar se kurrë më parë. Ju e dini në secilin rast që kemi qenë të bashkuar kemi pasur sukses, shembull e kemi formimin e Ushtrisë. Për Ushtrinë ishim të bashkuar dhe nuk ka qenë punë e lehtë, pra ka pasur pengesa të shumta por janë kaluar pasi kemi qenë të bashkuar. Për Trepçën ka pasur mjaft mospajtime nga shteti fqinj, por prap ishim të bashkuar. Për taksën kemi pasur disa luhatje dhe kjo nuk është gjë e mirë pasi që kur lëkundemi rritet dëmi”, ka thënë Haradinaj, përcjell Ballkani.info.

Haradinaj ka thënë se shpreson që edhe njëherë të bëhen bashkë si iu ka hije, duke thënë se për të kujtuar dhimbjet nga shteti fqinj, mjafton të shkojnë në vizitë mbrapa stacionit të autobusëve në Suharekë dhe t’i kujtojnë dëmet, duke aluduar kështu në masakrën e familjes Berisha në Suharekë.

“Njohja nga Serbia duhet me ardhë si kerkim falje, jo tuj jap tokë. Jemi ka folim prej zorit. Çka me bo na me kaq pak tokë, ku t’i rrisim fëmijët tanë, brezat tanë”, ka thënë Haradinaj. /Ballkani.info/