Haradinaj takon Hovenierin, thotë se Plani evropian i jep njohje ndërkombëtare Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, të martën ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka njoftuar se në këtë takim kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.

“E falënderova personalisht Ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij dhe të SHBA-së në mbështetje të Kosovës. Njëkohësisht prezantova qëndrimin e Aleancës në mbështetje të marrëveshjes Kosovë-Serbi, duke theksuar se kjo marrëveshje i jep njohjen ndërkombëtare Kosovës, rrugëtimin e sigurt drejt integrimit në NATO dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij partneriteti i Kosovës me SHBA-në është afatgjatë dhe strategjik.