Ramush Haradinaj

Haradinaj: Raketat “Javelin” janë porositur në vitin 2019, Kurti e ka marrë Kosovën me ushtri të krijuar

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se raketat “Javelin” janë porositur në kohën e tij si kryeministër i Kosovës, në vitin 2019.

Ai ka treguar se kjo gjë ishte dakorduar në vitin 2018 me planin dhjetë vjeçar për ushtrinë.

“Fokusi i parë i ushtrisë tonë ka qenë a është dhe do të mbetet për një kohë ballafaqimi me rrezikun me urgjencë meqenëse Serbia në këtë rast si fqinj i yni që na rrezikon potencialisht ka numër të madh të mjeteve të motorizuara të blinduara: tankse, autoblinda, transporterë, sisteme të caktuara të armatimeve. Atëherë, është gjetur zgjidhja më e mençme, pra në vend se të blejmë mjete të blinduara, tankse, tyta zjarri, e të tjera, ne e kemi paraparë ilaçin për këto mjete që në këtë rast është sistemi antitank Javelin, e ai është kundër mjeteve, fortifikimeve e kështu me radhë. Të gjitha këto ishin të zgjedhura dhe të dakorduara në vitin 2018, në vitin 2019 kanë filluar porositë”, ka thënë Haradinaj gjatë një interviste në “Rubikon”.

Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti për vonesa në këtë drejtim.

”Qeveria Kurti Kosovën e ka marrë me ushtrinë e krijuar, me ligjet e Kosovës, pa ndonjë kufizim, me plan dhjetë vjeçar, për dhjetë vjet krejtësisht e paraparë çka ndodhë, kur dhe qysh, e vetmja meritë e kësaj qeverie është që s’ka mujtë paret që është dashtë me i shti brenda vitit, me i bajtë në vitin tjetër. Pra, vonesa të teknikës ushtarake, disa herë kemi pasur vonesa”, ka thënë Haradinaj.

VIDEO BONUS: Dalja e parë publike e Haradinajt dhe Limajt, pas zyrtarizimit të koalicionit