Haradinaj për aktakuzën ndaj Thaçit: Një forcë e madhe është prapa Speciales, treguan guxim ligjor me mënyrën si vepruan

Kryeministri Ramush Haradinaj edhe një herë ka folur pas publikimit të propozim-aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi nga Prokurori i Specializuar. Tha se pas Gjykatës Speciale është një fuqi e madhe dhe Kosova e ka të vështirë ndërhyrjen.

“Shihet se ka një fuqi të madhe prapa Gjykatës edhe prapa Prokurorisë. Kur po them një fuqi është edhe një guxim ligjor o e quaj, me vepruar në mënyrën si kanë vepruar, pra me i bo publike aktakuzat në mënyrën si i kanë bo. Këtu shihet që është një gjykatë e fuqishme”, tha Haradinaj për RTV Dukagjinin.

Megjithatë ai thotë se me rëndësi është në që fund të procesit UÇK të dalë e pastër siç ka qenë.

“Epilogu duhet me na interesuar të gjithëve. Nëse Gjykata e shkruan një faturë të fajësisë për nivele të larta të UÇK’së mbetet një situatë e Keqe për Kosovën në aspektin ndërkombëtar”, tha Haradinaj.

Më 24 qershor erdhi njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, se kundër presidentit të Kosovës ka paraqitur aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Sipas njoftimit, Prokurori më 24 prill ka dërguar aktakuzën për shqyrtim me dhjetë pika, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe “të tjerë”, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.