Kryeministri

Haradinaj: Palmer ia bëmë të qartë që nuk pranojmë marrëveshje për territorin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka pranuar të tregojë se cilat porosi ua dha zëvendës-ndihmës sekretari i ShBA-së, Mathew Palmer në takimin me krerët e partive politike në vend, por ka theksuar se nuk ndryshon qëndrimet sa i përket marrëveshjes me Serbinë.

Haradinaj ka thënë se nuk ka të drejtë të zbulojë detaje, por që ka deklaruar se ia ka bërë të qartë Palmerit se janë kundër një marrëveshje e cila bazohet në territore dhe kufij.

Mediat kishin raportuar se Plamer kishte kërkuar nga palët që në mënyrë të drejtpërdrejtë të përcaktohen se nga çfarë janë të gatshëm të heqin dorë për të arritur deri te njohja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i vendit është pyetur edhe rreth kërkesës për një seancë të jashtëzakonshme nga opozita për miratimin e një rezolute që ia ndalon presidentit të flas për kufijtë, e për këtë ai ka thënë se më së miri është që të bëhet e qartë se çka bënë dhe çka nuk bënë sa i përket dialogut.

Haradinaj ka thënë se është mirë të votohet rezoluta, mirëpo sipas tij edhe rezolutat e mëhershme e kanë potencuar se askush nuk ka të drejtë të flas për kufijtë dhe për territorin.

Këto komente Haradinaj i bëri në një konferencë për media, të cilën e mbajti pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.