Haradinaj: Në secilën ditë të qershorit shënojmë realizimin e ëndrrës së shumë brezave

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka uruar qytetarët e Drenasit, Gjakovës, Rahovecit, Obiliqit dhe Vitisë, Ditën e Çlirimit.

Haradinaj nëpërmjet një postimi në Facebook tha se në secilën ditë të qershorit “shënojmë realizimin e ëndrrës së shumë brezave, nderojmë sakrificën dhe falënderojmë të gjithë ata që ishin përkrah kombit shqiptar, në përpjekjet titanike për liri e çlirim.”

Tutje, ai shtoi se sot kujtojmë trimërinë dhe guximin e luftëtarëve të brigadave 114 “Fehmi Lladrovci”, 124 “Gani Paçarizi”, 132 “Myrtë Zeneli”, 134 “Bedri Shala”,137 “Gjakova”, 138 “Agim Ramadani” dhe 173 “Gursel e Bajram Sylejmani”.

“Shumë nga ta, përjetuan ditën e lirisë, triumfues dhe krenarë, e shumë të tjerë, u përjetësuan në betejat që i dhanë fund okupimit të egër. Urime”, shkroi ai.