Në përvjetorin e 20 të masakrës së Izbicës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për masakrat e kryera nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë, duke thënë se Kosovës po i duhet edhe njëherë që të vërtetojë pafajësinë, e duke premtuar avancim të bazës ligjore për kategorinë e dalë nga lufta.

“Kjo ditë është një prej atyre me dhimbje të madhe dhe për fat të keq kemi shumë këso ditë, edhe familjet e juaja një nga masakrat më makabre që ka ndodh në Kosovë ku është vrarë edhe fëmija ende pa i mbush një vit, e të moshumtë e dy gjinive pa asnjë kriter, asnjë ska qenë luftëtar po të gjithë kanë qenë civil të pa mbrojtur”, deklaroi Haradinaj, duke përmendur edhe disa vende në të cilat janë vrarë civilë.

“Do të ishte lehtë sikur ta kishit vetëm ju këtë dhimbje si thotë populli po jemi dëshmitarë kjo dhimbje është në të gjithë vendit tonë, këto ditë e tha edhe presidenti ishim në të dy Krushat, në Suharekë në plot vende, në Prizren, e kemi Studimen, e kemi Llapin, Gollakun, Kacanikun, po ashtu e dimë se një bazë të madhe të ranë e ka Drenica heroike”, deklaroi Haradinaj.

Tutje, ai ka përmendur edhe fatin e të pagjeturve, ndërkaq, ka thënë se Kosovës po i duhet edhe njëherë që të vërtetojë pafajësinë e saj.

“Ajo çka na bën me bashkë ndje është një punë shumë e ngadalshme për gjetjen e fatit të të pagjeturve, por edhe të mos vendosjes së autoreve të këtyre krimeve e të masakrave para drejtësisë. Në Dukagjin p.sh janë mbi 10 të tilla. E drejta për viktimat e Kosovës nuk është vendosë, është njëfarë neglizhence, po na kërkohet edhe njëherë me vërtetu pafajësinë tonë, a nuk po vendosen të drejta kur dihet se ka një numër të madh të grave të dhunuara në Kosovë”, ka thënë ai.

“Kemi një dakordim ndërinstitucional, që të avancojmë bazën ligjore e statusin ligjor edhe të familjeve të martirëve e të pagjeturve në mënyrë të duhur, jemi në komunikim edhe me organizatat e veteranëve e dëshmorëve. Ky avancim i statusit ligjor nuk e zëvendëson jo veç dhimbjen por ndjenjën e gjithë neve se Kosova kërkon drejtësi për këto krime makabër që kanë ndodh”, shtoi Haradinaj.

Në fund, ka përmendur edhe një rast që iu kishte drejtuar Rifat Jasharit, duke e pyetur se si po mund të qëndronte para varreve të të vrarëve.

“I pata thanë njëherë bacës Rifat, bac a po mun qëndron para varreve, para shtëpijave tha nuk po na le populli me u mërzit mirë që ka nderime institucionale si rasti I sotëm”, ka përfunduar Haradinaj.