Haradinaj: Marrëdhënien me Amerikën e rrezikojmë të gjithë ose e ndreqim të gjithë

Haradinaj thotë se taksën do ta pezullonte vetëm me një marrëveshje me Serbinë që nuk përfshin tema si ndryshimi i kufijve.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përmbledhur përgjigjet e tij dhënë medieve gjatë konferencës së sotme, përcjell Ballkani.info.

Shefi i ekzekutivit, i pyetur për qëndrimet kundër taksës të partnerëve të tij qeveritarë, ka thënë se taksën po e mban në emër të të gjithëve, pasi vendimin e kanë marrë të gjithë bashkë. /Ballkani.info

Postimi i plotë i Haradinajt:

Në konferencën e sotme për media pas përfundimit të Mbledhjes së 92-të të Qeverisë, u përgjigja në shumë pyetje dhe tema që u parashtruan nga gazetarët.

Ndër tjerash, fola për çështjen e tarifës ndaj Serbisë duke thënë se pikërisht për këtë situatë jo uniteti në mes të faktorit politik në tema të interesit nacional i bën dëm vendit. Dallimet në mes nesh krijojnë paqartësi që edhe aleatët tanë të marrin një qëndrim të favorshëm për ne.

Unifikimi institucional për Ushtrinë dhe Trepçën është dëshmia më e mirë se së bashku mund të arrihen objektivat shtetërore.

Por, e ritheksova se nuk ka ndryshim në qëndrimet e mia për taksën ndaj Serbisë dhe pajtohem me deklarimet e përfaqësuesve të tjerë institucionalë kur thonë se asnjë Qeveri nuk e rrezikon
marrëdhënien me Amerikën. Këtë e rrezikojnë që të gjithë ose e ndreqin që të gjithë, por arsyeja pse e mbajmë një kurs të tillë është serioze dhe jo e rastësishme.

Theksova po ashtu se duke qenë një vendim që e kemi marrë të gjithë së bashku, unë e mbroj atë në emër të të gjithëve. Qëndroj fuqishëm në atë se duhet ta ruajmë një të drejtë tonën që është sovrane.
Sa i përket dialogut me Serbinë, jemi të vetëdijshëm se është vërtetë i nevojshëm, por vetëm me një kontratë që nuk përmban elemente të kontaminuara, si rasti i territoreve, kufijve. Vetëm kështu mund të ekzistojë mundësia e pezullimit të taksës.

Vonesat në dialog dhe kushtet që ka nxjerrë Serbia për Kosovën nuk janë në frymën e anëtarëve që aspirojnë drejt anëtarësimit në BE.

Dhe e kam thënë shumë qartë se njohja e Serbisë ndaj Kosovës do të vijë në kufijtë ekzistues, në Kosovën e 17 shkurtit. Ky është interes i të gjithë neve, i gjithë qytetarëve të Kosovës!