Haradinaj: Kurrë s’i cenova marrëdhëniet me Amerikën, më njollosën Thaçi e Rama që punonin për ndarje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se asnjëherë nuk i ka cenuar raportet me SHBA-në, përkundër se ka pasur mospajtime për vendosjen e taksës gjatë kohës sa ishte kryeministër.

Haradinaj ka thënë se, ndryshe nga Kurti, ai ka mbajtur raporte të mira me zyrtarët amerikanë, përderisa ka akuzuar se për anti-amerikanizëm e kanë akuzuar dy njerëzit që ndjeknin agjendën e ndarjes së Kosovës, duke e pasur fjalën për presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Edi Rama.

“Asnjëherë s’kemi leju që taksa me ndërpre raportin bilateral Kosovë-Amerikë. Po me ambasadorin Kosnett në vazhdimësi kemi punu. Asnjëherë nuk i kemi dëmtu raportet me SHBA-në. Amerikanëve u kemi thënë po e heqmi taksën, mirëpo na jepni diçka”, ka thënë Haradinaj. Haradinaj, tha se ai ka mbrojtur 17 Shkurtin gjatë kohës së tij në Qeveri. “Unë kam pas mbrojtjen e 17 Shkurtit, ai (Edi Rama) së bashku me presidentin Thaçi e Vuçiq, kanë qenë në agjendën e ndarjes, shkëmbimeve, etj”, tha ai.

Haradinaj tha se më nuk është i frikësuar nga mundësia e ndarjes së Kosovës, pasi që edhe SHBA-ja zyrtarisht e ka konfirmuar këtë gjë.