Ramush Haradinaj

Haradinaj: E vetmja mënyrë që të garantojmë ekzistencën tonë të paprekshme është që Kosova të hy në NATO

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se e vetmja mënyrë që të garantojmë ekzistencën tonë të paprekshme është që Kosova të hyjë në NATO.

Kështu tha Haradinaj në seancën solemne në përkujtim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit të mbajtur nga komuna e Deçanit.

“Në hartën e lirisë së kombit tonë, për fat të mirë ne e zëmë një vend të ndritur si Deçan, si qytetarë të kësaj pjese të hartës së kombit. Ne duhet të dimë se cilat do të jenë fitoret tona të ardhshme, duhet të kemi një qëllim apo fitore që synojmë. E vetmja mënyrë që të garantojmë ekzistencën tonë të paprekshme është të hymë në NATO, nuk ka të bëjë vetëm me i servuar dikujt, nuk ka të bëjë me fitua ndonjë vend politik dhe me kundërshtuar dikë por ka të bëjë të sigurojë sakrificën, gjakun e gjithë atyre brezave. Duhet të hymë në NATO, të gjitha të tjerat janë gënjeshtra, mashtrime, na marrin në qafë”, është shprehur Haradinaj.

Po ashtu, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Deçanit, Hajdar Sutaj ka shtuar se shtimi i dhunës mbi shqiptarët gjatë viteve 80-ta dhe 90-ta, nxjerrin në pah një brez i cili ishte i bindur që mënyra e vetme që do ta dërgonte vendin tonë tek liria dhe pavarësia është lufta e armatosur, e cila njihet si Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Sot dhe asnjëherë, nuk harrojmë dhe nderojmë me respekt familjet e të zhdukurve, të cilët edhe 24 vjet pas lufte ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre. Pas shumë përpjekjeve të rezistencës në forma të ndryshme të popullit tonë, shtimi i dhunës mbi shqiptarët gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta nxjerrin në pah një brez i cili me të drejtë ishte i bindur që vetëm lufta e armatosur do ta dërgonte vendin tonë tek liria dhe pavarësia e që më vonë do të njihej si Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka shtuar ai.

Pas përfundimit të seancës së Kuvendit, drejtues të komunës kanë bërë homazhe tek shtatoret e dëshmorëve, Luan Haradinaj, Mentor Tolaj, Sali Çeku e Beg Rizaj.