Haradinaj dhe Veseli ngushëllojnë familjen e Florijana Ismailit, pasi trupi i saj u gjet i pajetë

Kryeministri i Kosovës i ka shprehur ngushëllime familjes Ismaili për vdekjen pasi që trupi i pajetë i vajzës së tyre është gjetur i pajetë në liqenin e Comos në veri të Italisë.

Florijana Ismaili ka qenë për vizitë në destinacionin turistik. Ajo kishte kërcyer në liqen dhe pastaj nuk kishte dalë nga aty. Një shoqe e saj kishte alarmuar menjëherë të tjerët por ajo nuk është gjetur që nga e shtuna.

Ismaili ka qenë kapitene e ekipit zviceran Young Boys dhe ka debutuar me kombëtaren e Zvicrës në vitin 2014.

“Thellësisht i pikëlluar me lajmin për gjetjen e trupit të pajetë të shqiptares, Florijana Ismaili, futbolliste e kombëtarës zvicerane”, ka thënë Haradinaj.

“Në këto çaste të rënda, duke ndarë dhimbjen me familjen Ismaili, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ngushëlluar familjen Ismaili, miqtë dhe sportdashësit, pas gjetjes së trupit të pa jetë të Floriana Ismailit.

“Zemrat dhe mendjet tona janë me familjen Ismaili, që humbi vajzën Florianën. Ngushëllime familjes, të gjithë miqve dhe sportdashësve”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Trupi i futbollistes shqiptare të Zvicrës dhe Young Boys, Floriana Ismailit, u gjet sot 204 metra në thellësi të liqenit Como në Itali, ku u raportua e zhdukur të shtunën e kaluar.