Haradinaj del me disa rekomandime për Qeverinë për të tejkaluar situatën me pandeminë

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka dalë me disa sugjerime për qeverinë për tejkalimin e situatës së rëndë shëndetësore në vend.

Haradinaj thotë se çdo sugjerim, kërkesë dhe rekomandim për menaxhimin e pandemisë është dhënë duke analizuar shumë indikatorë, veçanërisht kapacitetet tona shëndetësore, nivelin e zhvillimit ekonomik dhe kushtet e rënda të operimit të sektorit privat.

“Asnjëherë nuk kemi kërkuar operim të pakontrolluar, përkundrazi kemi kërkuar hapje të kontrolluar me masa adekuate, të cilat nuk lejojnë shpërndarje të virusit dhe nuk e mbyllin ekonominë, si dhe masa lehtësuese përmes financimit direkt për çdo sektor dhe aktivitetet ekonomik që ka vështirësi!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

I pari i AAK-së, thotë se duhet menaxhim i kontrolluar, me masa kufizuese, me angazhim maksimal të organeve shtetërore dhe lehtësim financiar të aktiviteteve ekonomike dhe të akterëve institucional të angazhuar direkt.

Haradinaj dhe AAK rekomandojnë masa dhe aktivitete të reja si më poshtë:

Ekonomi:

– subvencionim financiar sektorial për aktivitetet e prekura direkt;

– subvencionim i aktiviteteve prodhuese;

– subvencionim i eksportit; dhe

– subvencionim i industrisë së shërbimeve, potencial për eksport dhe punësim.

Aktivitetet operative:

– Zgjerimi i kapaciteteve shëndetësore, profesionale dhe teknike;

– Angazhim i vullnetarëve;

– Ekipet mobile për trajtim në shtëpi;

– Trajtimi me qëndrim në kapacitetet private;

– Furnizim me barna të nevojshme për të gjithë të prekurit; dhe

– Hapja e spitaleve provizore.

Mbështetja financiare për personelin e angazhuar:

– Shtesat për personelin shëndetësor;

– Shtesat për policinë dhe inspektorët; dhe

– Honoraret për vullnetarët.

JO mbyllje totale, JO menaxhim i pakontrolluar!

Kujtojmë, edhe kryetari i LDK-së kishte dhënë disa rekomandime për qeverinë për të dalë nga kjo situatë e vështirë.