Kryetari i AAK-së

Haradinaj bën homazhe te varri i Shaban Shalës: Veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar Gjeneral Shaban Shalën në 12-vjetorin e vdekjes.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Gjeneral Shala ishte veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare.

Postim i plotë:

Në 12-vjetorin e shkuarjes në përjetësi të Heroit të Kombit, Gjeneral Shaban Shala, kam bërë homazhe pranë varrit të tij.

Veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, bashkëthemelues e drejtues i KMDLNJ-së, ai vu në ballë të organizimit të luftës çlirimtare. Pas luftës, dha kontribut të çmuar në proceset shtetndërtuese, me theks të veçantë në themelimin e zhvillimin e TMK-së dhe transformimin në FSK.

Kisha nderin që në kohën e luftës per liri, të bashkëveproj me vëllain e tij Bedriun, i cili ra heroikisht në ballafaqim me armikun në mbrojtje të Junikut, më 10 gusht 1998. Emri i tij u nderua nga Brigada 134 “Bedri Shala” e ZO të Dukagjinit.

Vepra e dalëzotësve të Atdheut si Gjeneral Shala, është pragu më i lartë i krenarisë sonë kombëtare.