Haradinaj: Amerikën e kam familje, s’ka marrëveshje me Serbinë pa aleatin tonë historik

Kosova është rikthyer në dialog teknik me Serbinë, kështu po vlerëson ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai për RTK-në ka thënë se nuk do ta përkrahim dialogun nëse nuk jemi pjesë e takimeve, madje ai është kundër dialogut pa SHBA-në.

“Kosova nuk e ka luksin me zëvendësu lidershipin e dialogut nga SHBA me një lidership të brishtë, sikundër janë Lajçak e Borell”, theksoi Haradinaj

Ndërkaq lidhur me besimin që gëzon Qeveria Hoti, ai theksoi se “përballë dialogut me Serbinë, nuk i besoj.”

Ndër të tjera ai shtoi se “nuk duhet privatizu dialogun me Serbinë, por duhet të ketë konsensus të gjerë lidhur me këtë”.

“Amerikën e kam familje, ishte kjo Amerikë që i tha stop ndarjes së Kosovës. Por nuk mund të gjujmë gurë në Gjermaninë veç pse ishte kundër ndarjes. Çfarë zori kemi ne që të bëjmë ndarje ndërmjet Amerikës dhe Gjermanisë. Ne nuk pranojmë dialog teknik, ne pranojmë rol aktiv të Gjermanisë dhe le të hyjnë në dialog drejtpërdrejt. Por, pa Amerikën nuk ka përfundim të dialogut me Serbinë”, ka thënë Haradinaj. /Ballkani.info/