Haradinaj: AKI të hetojë helmimin në Deçan, ndoshta ka dëpërtuar dikush. Vizitat e Osmanit dhe ministrave ishin turistike

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka kritikuar qeverinë e vendit për neglizhencë në rastin e helmimit të mijëra banorëve të Deçanit.
Ai ka thënë se pas kësaj gjendjeje emergjente në Deçan, do të duhej të mblidhej Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe të vlerësohet gjendja, shkruan Ballkani.info.

Haradinaj në një lidhje të drejtpërdrejt për Dukagjinin, ka thënë se vizitat e bëra sot në Deçan nga Presidentja dhe ministrat, janë më shumë turistike, pasi që deri më tash nuk është bërë asgjë as në ilaqe dhe në ndarjen e mjeteve financiare.

“Këto ardhjet janë më shumë turizëm, jo diçka tjetër. Të gjithë duhet t’i blejnë ilaqet vet, ka raste që ka shumë anëtar të një familjeje që janë helmuar njëkohësisht. Qeveria ka reaguar më shumë vonesë, pra nuk ka asnjë kontigjent të barnave”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, një njësi e MSH-së do të duhej të ishte këtu për monitorimin e gjendjes.

“Nuk e kuptoj deklarimin do t’i marrim të gjitha masat, ndërsa keni ardhur këtu nuk keni sjellë asgjë, as barna, as shtretër, as autoambulanca. Këtu ka punë edhe AKI, që ta dimë nëse ka dëpërtuar dikush, a ka bo dikush diçka. Nuk ka ndodh ndonjë herë një helmim i tillë kaq i madh. AKI ta hulumtojë a ka ndodh najsen, prandaj këshilli kombëtar për siguri duhet të mblidhet”, ka thënë ai. /Ballkani.info/