Hamza: Kurti po e shpërfill SHBA-në

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka arsyetuar mbajtjen e seancës së sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me shpërfilljet e kryeministrit Kurti karshi kërkesave të SHBA-së për heqjen e taksës.

Ai tha se PDK i sheh serioze paralajmërimet e fundit amerikane për tërheqjen e trupave ushtarake dhe suspendimin e programeve zhvillimore.

“Duke u bazuar në sjelljet dhe veprimet shpërfillëse të kryeministrit Albin Kurti në raport me këshillat miqësore të SHBA-së për krijimin e kushteve institucionale, duke u bazuar në mesazhet dhe thirrjet e qarta diplomatike që të veprohet pa vonesë me qëllim që Kosova t’i hapë rrugë dialogut me Serbinë, nën mbështetjen e lidershipit të Amerikës, GP i PDK-së i merr me shqetësim paralajmërimet e fundit për Kosovën nga Amerika për tërheqjen e trupave ushtarake dhe suspendimin e programeve zhvillimo re si shkak i shpërfilljes së kryeministrit. GP i PDK-së i mbështetur nga grupet e tjera parlamentare konsideron, se Kosova në fazën përfundimtare të dialogut, duhet ta zhvillojë në bashkëveprim me Amerikën dhe BE-në”, tha Hamza.