Zyrtari i LDK-së

Hamiti: Qeveria dhe Vetëvendosje po thonë se sanksionet erdhën shkaku i politikave të mira të Kurtit

Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se Qeveria e Kosovës por edhe Lëvizja Vetvendosje, po e paraqesin dështimin e Kosovës si një sukses të Qeverisë Kurti.

Hamiti thotë se sipas qëndrimit të Qeverisë dhe VV-së, sanksionet e BE-së kanë ardhur si rezultat i vendimeve dhe politikave të mira të Kurtit.

Ai thotë se të njejtën logjikë po e përdorin edhe me ligjet që po ua kthen Kushtetuesja, duke thënë se me to po synojnë reformën në drejtësi.

Hamiti pyet se çfarë do të thoshin nga Vetëvendosje nëse do të ishte dikush tjetër në Qeveri.

Reagimi i plotë:

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të Vetëvendosjes, por edhe propagandistët e tyre të zellshëm, po e paraqesin katandisjen e Kosovës si sukses e jo dështim të Qeverisë Kurti.

Përplasja e Kosovës me miqtë dhe aleatët tanë tradicionalë, për ç’gjë Kosova është vënë për herë të parë nën sanksione ndërkombëtare (tash e gati tre muaj), po thonë këta, është rezultat i politikave të mira të Qeverisë Kurti; faji është i të tjerëve, simbas tyre.

Ligjet që po i miraton shumica parlamentare ndërsa Gjykata Kushtetuese po i shpall anti-kushtetuese – po thonë këta zyrtarë e propagandistë – janë të mira, sepse synojnë reforma në fusha të caktuara. Pse a nuk u bëkan reforma pa e shkelur Kushtetutën a?

Çka do të thoshin zyrtarët dhe propagandistët e Vetëvendosjes po të ishte dikush tjetër në Qeveri ndërsa Kosova të përjetonte sanksione ndërkombëtare, shkelje serike të Kushtetutës, dështime të përgjithshme në politika të brendshme e të jashtme, skandale të njëpasnjëshme të Qeverisë?