Muhamet Hamiti

Hamiti: Nëse zbatohet draft-statuti i BE-së krijohet autonomi politike-territoriale serbe e jo thjesht Asociacion komunash

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti ka komentuar deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, e që thotë se Kosova është e ftuar që të jap komentet dhe sugjerimet për draftin që është në tryezë.

Hamiti tha se nëse zbatohet, ky dokument krijon autonomi politike-territoriale serbe në Kosovë dhe jo thjeshtë Asociacion të Komunave.

“Mos e harroni Draft-Statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që e ka hartuar BE-ja, i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe kjo e ka pranuar. “Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e saj për draftin që është në tryezë”, ka thënë sot zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Nëse zbatohet, ky dokument krijon autonomi politike-territoriale serbe në Kosovë – jo thjesht Asociacion komunash – në kundërshtim me rendin aktual kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Hamiti.

Bashkimi Evropian thotë se Kosova në dhjetë vjetët e fundit ka pasur rastin të paraqesë një draft-propozim për formimin e Asociacionit.

Tani, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, pritet që Prishtina zyrtare të ndërmarrë hapa konkretë.

“Në këtë fazë të avancuar të procesit, pritet që së shpejti të fillojë me themelimin e Asociacionit së komunave me shumicë serbe. Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e saj për draftin që është në tryezë”, ka thënë Stano për REL.

Ai përsëriti se draft-statuti i hartuar nga BE-ja është “një mënyrë moderne evropiane për zgjidhjen e çështjes së ndjeshme të mbrojtjes së pakicave”.

“Ne presim që të dyja palët t’i vazhdojnë bisedimet bazuar në këtë draft”, ka vijuar ai.

VIDEO BONUS: Serbia vazhdon me veprim të njëanshme duke kërcënuar paqen në rajon