Hamiltoni triumfoi në Imola, Mercedesi e mori titullin për konstruktorë

Lewis Hamilton e siguroi fitoren e 93-të në karrierë me triumfin në garën e Çmimit të Madh të “Emilia Romagna”.

Ekipi i tij, Mercedesi, fitoi për herën e shtatë rresht titullin për konstruktorë në Formula 1, katër gara para se të përfundojë kampionati i vitit 2020. Hamiltoni doli i pari të dielën. Gjashtë herë kampioni i botës arriti në finish para vozitësit tjetër të ekipit, Valtteri Bottas, i cili e nisi garën nga “pole-position”.

Australiani Daniel Ricciardo përfundoi i treti me Renaultin, që ishte edhe ngjitja e dytë në podium këtë sezon.

Hamiltoni pati pikë shtesë për shkak të xhiros më të shpejtë dhe tani është në krye të renditjes së përgjithshme me 85 pikë më shumë se vendi i dytë. Britaniku mund ta marrë edhe titullin e shtatë brenda dy javësh e ta barazojë Michael Schumacherin, që me Ferrarin kishte marrë po aq tituj. Gara e radhës do të jetë Çmimi i Madh në Turqi.

“Çfarë arritje e jashtëzakonshme për të gjithë ju. Jam shumë krenar për të gjithë dhe jam shumë mirënjohës që jam pjesë e ekipit”, tha Hamiltoni në radio pasi i thanë se është fituar edhe titulli për konstruktorë.