Haki Abazi shpreson në votat e deputetëve të pakënaqur për rrëzimin e qeverisë Hoti

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se Kosova ka një Qeveri komplet jo legjitime.

Ai duke përmendur rastin e deputetit Etem Arifi, i cili momentalisht është në arrati, ka thënë se kjo qeveri është votuar nga një deputet i dënuar e që tash në arrati.

Sipas tij, kjo ka qenë njëra nga aspektet e ngritjes së mocionit për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Abazi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë ata e kanë për detyrë si opozitë që vendin dhe qytetarët ti mbajnë në bazë të premtimeve të dhëna gjatë fushatës.“Mocioni është për dy aspekte, një është që kemi një Qeveri komplet jo legjitime, tashmë është e qartë se kjo qeveri është bërë nga njeri që përveç që është i dënuar është edhe në arrati, që tregon edhe mungesën e legjitimitetit dhe brishtësinë e veprimit të institucioneve, kur një njeri që është deputet ka votuar edhe është i dënuar dhe tash është në arrati. Kjo o bënë të domosdoshëm mocionin e mosbesimit”.

“Tjetra duke qenë në opozitë është detyrë të mbahet vendi dhe qytetari në përputhshmëri të plotë me premtimet që janë bërë në fushatën elektorale”, është shprehur Abazi.

Ai ka shprehur besimin që së bashku partitë opozitare, por edhe deputetët tjerë që janë ta pakënaqur me Qeverinë Hoti, që ta rrëzojnë këtë qeveri.“Ne besojmë që do të mbërrijmë deri në pikën ku do të hapet çështja e rëndësisë së ekzistencës së një qeverie me legjitimitet përballë sfidave, pandemisë, kolapsit ekonomik dhe raportin mes BE-së dhe ShBA-ve, që tashmë është bërë pazar i ndytë për interesat e tre- katër njerëzve, e që komplet është largu prej ekuacionit, integriteti, sovraniteti i vendit, është shprehur Abazi.

Ai duke folur për qëndrimin e PDK-së, e cila edhe ka kërkuar disa sqarime nga Vetëvendosje, lidhur me bashkëpunim për ta rrëzuar Qeverinë, ku ndër to është edhe ajo nëse VV ka “hequr vijat e kuqe” për PDK-,në, është shprehur se PDK-së nuk i duhet sqarime nga askush, dhe se ajo duhet ta kuptojë rolin e saj si opozitë.

“PDK-së, nuk i duhet sqarim nga askush është parti në vete kupton rolin e partisë opozitare. Gjithashtu PDK e kupton se në çfarë përballjes të sfidave është Kosova, dhe më rëndësishmja është për ta parë nëse PDK do ta luaj rolin e opozitës së vërtetë apo do të vazhdojë të jetë një farë forme mirëmbajtëse e një Qeverie, e cila përpos që do ti shkaktoj dëm të madh Kosovës, do ti shkaktoj dëm vet PDK-së dhe pozicionit të saj në zgjedhjet e ardhshme, duke qenë e dyta pas Vetëvendosjes”, është shprehur ai.

Abazi nuk ka treguar nëse PDK mund të jetë apo jo partner në qeverisje. Ai ka thënë se ata besojnë që do të mund ta bëjnë shumicën vet, por nëse u duhet gjetur partnerë, atëherë duhet analizuar në bazë të votave të qytetarëve.“Nëse gjendemi në një situatë se kush mund të jetë partneri i koalicionit, sigurisht që ai moment duhet analizuar, kur sovrani e thotë fjalën e vet. Për këtë mendojë që është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të jenë ato që përcaktojnë koordinatat e orientimit për Qeverisjen e re, dhe ato duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur”, ka deklaruar ai.

Abazi ka folur edhe për çështjen e rrugës Deçan- Plavë, ku është shprehur se kjo rrugë duhet të ndërtohet.

“Është një thënie e vjetër më duke persiane”asnjë objekt kulti nuk mund ta ndalë rrugën”, kjo sigurisht që në rastin ton ka simbolikën që rruga lidhë njerëzit komunikimin. Rruga duhet të ndërtohet, nuk është kundër askujt. Në aspektin zhvillimor nuk duhet të lejohen tradita që kush do mund të ndalojë projekte shtetërore”.

“Në rastin konkret shpërfaqë dobësinë në nivelin më të ulët të qasjes institucionale edhe një varësi të sëmurë ndaj kryeministrit të tanishëm ndaj urdhrave që jep Vuçiqi në Kosovë”, ka deklaruar Abazi.