Reagon edhe një herë Abazi: Vendimi i Kushtetueses, precedenti më i rrezikshëm që i ka ndodhur Kosovës, e sabotuan rezultatin e zgjedhjeve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka reaguar sërish në lidhje me vendimin e Kushtetueses që i jep të drejtë presidentit për dekretin që mandaton Avdullah Hotin për qeverinë e re.

Abazi në një postim në Facebook ka thënë se sipas këtij vendimi, pavarësisht zgjedhjeve dhe rezultatit të tyre, presidenti ka të drejtë ta mandatojë këdo që ka sabotuar rezultatin e zgjedhjeve.

Haki Abazi madje këtë e ka quajtur precedentin më të rrezikshëm që ka mundur t’i ndodhë Kosovës.

Postimi i plotë:

Ajo çfarë po thotë gjykata kushtetuese është se pavarësisht zgjedhjeve, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve, presidenti në një Republikë Parlamentare si kjo e jona paska të drejtë të mandatojë këdo që me qëllim ka sabotuar rezultatin e zgjedhjeve paraprakisht sepse e ka parë mundësinë që të marrë pozitën e kryeministrit. Ky vendim përkrah rrëzimin e qeverisë me fituesin 50 ditë pas formimit- Ky është precedenti më i rrezikshëm që mund të lejojë një vend demokratik.