Komisionari i Bashkimit Europian(BE), Johannes Hahn sot po e viziton Kosovën.
Hahn pas takimit me krerët e shtetit të Kosovës, ka dalur në konferencë për media.
Ai nuk ka lënë pa përmendur zhvillimet e fundit ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë duke iu referuar taksës prej 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja.
Ai ka thënë se barrierat e tregtisë duhen të largohen që të mundësohet hapja e bizneseve të reja dhe pastaj punësimi i të rinjve.
“Duhet të them se barrierat e tregtisë duhen të largohen dhe e dimë se Kosova ka bërë shumë në këtë fushë. Jemi në dijeni për vështirësitë aktuale të Kosovës në tregtinë e lirë, por këto vende duhet të zgjedhin këto probleme që të ofrohen më shumë mundësi biznesi e të cilat rezultojnë në më shumë vende pune” ka thënë Hahn, raporton Ballkani.info.
Më tutje, Hahn ka theksuar se BE ka investuar rreth 100 milionë euro në vit për stabilizimin e vendit,
“Jemi duke punuar për të gjashtë shtetet e Ballkanit që të antarësohen në BE, por para kësaj duhen të zgjedhen çështjet dhe problemet bilaterale. Që nga viti 2007 kemi shpenzuar 100 milionë euro në vit për të zhvilluar këto vende. Një nga investimet diplomatike dhe financiare ka qenë edhe stabilizimi i ekonomisë dhe tregut të lirë mes vendeve të Ballkanit, të cilat kanë rezultuar për të mirë” ka përfunduar Hahn.
Kujtojmë se Johannes Hahn para takimit në Kosovë me krerët e shtetit, kishte vizituar edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. /Ballkani.info/







