Bashkëkryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se kjo parti do ta ketë kandidatin e saj për kryetar të Gjilanit.

“Arkitekti i njohur, qytetari shembullor dhe njeriu i mirë dhe punëtor i këtij vendi, Ilir Poroshtica, do të jetë kandidat për Kryetar të Gjilanit nga Partia GUXO. Me vendosmërinë e sigurinë, por edhe me modestinë e një profesionisti kulminant, Iliri po i hyn kësaj gare për të fituar, por fituesit e vërtetë do të jenë qytetarët e Gjilanit”, ka shkruar Gërvalla.

Sipas saj, Iliri është arkitekt i njohur në Gjilan e projektet e tij janë tashmë të njohura në sektorin privat.

“Si një sipërmarrës shumë i suksesshëm dhe një menaxher i shkëlqyer, këtë përvojë dhe sukses ai dëshiron ta sjellë edhe në sektorin publik dhe për ketë i duhet besimi i qytetarëve të mrekullueshëm të Gjilanit. Tërheqja e personaliteteve me përvojë në administratë dhe profesionistëve të fushave të ndryshme në ekipin e tij, do të jetë një ndër synimet kryesore. Gjilanit i duhet një ekip i tillë dhe një frymë e tillë. Dhe kjo frymë po vjen me Ilirin. Urime Gjilan!”, ka shkruar Gërvalla.

Poroshtica është kandidati i parë zyrtar i Guxo-s në zgjedhjet lokale, hiç këtu Faton Peci i cili garon në Mitrovicë si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje.

Me kandidimin e Ilir Poroshticës në Gjilan, Guxo nuk e mbështetë kandidatin e VV-së për këtë komunë, kryetarin aktual Alban Hysenin. /Ballkani.info/