Rezultatet e dobëta kanë detyruar drejtuesit e Bayernit të gjejnë zëvendësuesin e Niko Kovac.
Të shohësh një trajner në një klub tjetër, është gjithmonë diçka e pazakontë në futbollin e sotëm, e cila mund të shkaktojë këndvështrime sensacionale, aq më shumë nëse trajneri në fjalë është Pep Guardiola.
Trajneri i Manchester City u pa të hynte sot në zyrat e Bayernit, ish klubit të tij, para se të kalonte në “Etihad”.
Guardiola mbërriti në “Säbener Strasse” me taksi dhe më pas u shoqërua nga parkimi nëntokësor për në selinë e klubit bavarez nga menaxheri i ekipit, Kathleen Krüger.
Pamjet janë duke bërë xhiron e botës, ndërsa për shkak të rezultateve të dobëta Bayerni pritet që të shkarkojë trajnerin Niko Kovac.
Lajmi është bërë publik nga gazetari i njohur gjerman, Torben Hoffmann ndërsa deri në këto momente nuk ka asnjë reagim zyrtar nga klubi bavarez.
Pep Guardiola e ka drejtuar Bayernin për tri sezone (2013-2016), duke fituar tre tituj të Bundesligës, një Superkupë Europiane dhe një Botëror për Klube.







