Në Premier League

Guardiola thotë se janë 5 skuadra në garë për titull

Menaxheri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se më shumë se dy ekipe janë në garë për titullin e Premier League, kur kanë mbetur edhe 13 ndeshje për t’u zhvilluar.

Ekipi i Guardiolas është tre pikë prapa liderit, Liverpoolit, por mund të marrë kreun nëse fiton ndaj Evertonit të mërkurën.

Tottenhami është larg vetëm pesë pikë, Chelsea 12 pikë ndërsa Manchester Unitedi është 14 pikë larg.

“Kanë mbetur edhe 39 pikë në lojë dhe nuk janë shumë nëse jeni nëntë apo dhjetë pikë prapa”, ka thënë Guardiola.

“Kurrë nuk kam thënë se Tottenhami nuk është aty. Unitedi po e bën këtë serinë [pa humbje] dhe do të jetë aty. Tani shohim tabelën dhe kemi dy apo tre ekipe dhe nuk shikojmë më poshtë. Chelsea mund të fitojë një seri ndeshjesh dhe të jetë pretendent”, ka thënë trajneri spanjoll.