Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka pasur vetëm fjalë pozitive për homologun e tij, Ole Gunnar Soslkjaer që ndodhet në stolin e rivalëve të qytetit.
Soskjaer i ka fituar 5 ndeshjet e para të tij nën drejtimin e “Djajve të Kuq”, duke zëvendësuar në këtë detyrë të shkarkuarin në mesin e dhjetorit, Jose Mourinhon.
Norvegjezi është emëruar trajner i “Djajve të Kuq” vetëm deri në përfundim të këtij sezoni, ndërsa në një afat të shkurtër synon të thyejë rekordin e Matt Busby, duke i fituar 6 ndeshjet e para, por për të arritur këtë, Solskjaer ka punë të dielën me Tottenhamin në “Wembley”.
Në anën tjetër, pas triumfit të thellë 9-0 ndaj Burtonit në ndeshjen e parë gjysmëfinale në EFL Cup, Guardiola ka thënë se starti i Solskjaerit është më i mirë se ai i vetes.
“Fillimi i tij është shumë më i mirë sesa i imi, unë e kam humbur ndeshjen time të parë dhe e kam barazuar atë në vijim, kur isha emëruar trajner te City. Ai i ka fituar të gjitha ndeshjet, është një trajner i ri që ka koleksionuar rezultate të mrekullueshme. I kam parë disa minuta të tyre dhe ata luajnë shumë mirë. Por nuk është çështje e imja të komentoj kundërshtarët. Ne menjëherë e kemi një ndeshje të vështirë me Wolvesin”, u shpreh Guardiola.
Kampionët në fuqi të Premier Leagues ndodhen në vendin e dytë në klasifikim me 4 pikë më pak se lideri, Liverpooli.







