Guardiola thotë se do të mbetet te City

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka thënë se do të mbetet në klub, përkundër suspendimit prej dy vjetëve nga futbolli evropian që ka marrë City nga UEFA për thyerje të rregullit të Fer Plejit Financiar.

City ka apeluar vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport (CAS).

“Pse duhet të largohem? Unë kam thënë një muaj më parë, më pëlqen të jem këtu. Pse të largohem?” ka thënë Guardiola për Sky Sports pas fitores 2:0 të Cityt në Premier League ndaj West Ham Unitedit. “Ne kemi folur me lojtarët, në tre muajt e ardhshëm do të përqendrohemi në atë që duhet të bëjmë dhe pas kësaj do të shohim vendimin. Unë personalisht do të qëndrojë. Dua të vazhdojë të ndihmojë klubin dhe të mbajë këtë nivel sa më gjatë të jetë e mundur”.