Guardiola s’brengoset për epërsinë e Liverpoolit: Ende jemi në garë për titull

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, këmbëngul se skuadra e tij është ende në garë për ta mbrojtur titullin në Premierligë, me gjithë shkëputjen e Liverpoolit në krye të renditjes, duke thënë se ende ka shumë ndeshje të mbetura për t’u zhvilluar.

City i Guardiolës u trondit të dielën në shtëpi, pasi u mund 0-2 nga Wolves, duke i dhënë mundësinë Liverpoolit të rrisë epërsinë në krye të ligës elitare angleze.

Të kuqtë – nën kampionë të sezonit të kaluar prapa të kaltërve të Mançesterit – tani kanë tetë pikë më shumë se djelmoshat e Guardiolës pas triumfit në sekondat e fundit kundër Leicester City.

City nuk qe në gjendje ta ngushtojë epërsinë të dielën në Etihad, sepse dy golat e vonshme të Adam Traore ia siguruan Wolvesit tri pikë befasuese por plotësisht të merituara.

Guardiola i mbrojti lojtarët e vet pas humbjes, megjithatë, dhe beson se ende ka shumë kohë për ta për ta fituar titullin e tretë radhazi në Premierligë.

“Ende ka shumë ndeshje. Ne humbëm ndaj një ekipi të mirë, i cili ishte shumë i organizuar, shumë i fortë në ajër dhe shumë i shpejtë në kundërsulme”, tha Guardiola.

“I njoh këta djem (lojtarët e vet). Ata mund t’ia dalin”, shtoi ai.

loading…