Trajneri i Cityt

Guardiola mbron Sterlingun pas simulimit në fitoren përballë Shakhtarit

Raheem Sterling fitoi penallti pas simulimit që e bëri në fitoren e thellë 6-0 të Manchester Cityt kundër Shakhtarit, ndërsa Pep Guardiola i ka dalur në mbrojtje sulmuesit anglez.

Sterling u rrëzua pasi goditi tokën me gjyqtarin Vittor Kassai që akordoi penallti duke menduar se ish lojtari i Liverpoolit u pengua nga Mikola Matvyenko.

Kur u pyet nga gazetarët se a e kishte vërejtur Sterling që nuk ishte penallti, Guardiola përmendi një moment nga ndeshja çerekfinale të sezonit të kaluar ndaj Liverpoolit.

“Steling mund të tregonte që nuk ishte penallti, por edhe James Milner mund të thoshte se goli i Sanes ishte i rregullt. Por gjyqtari nuk e pranoi si gol, mund ta pranonte nëse do t’i tregohej. Nuk dëshirojmë të shënojmë në atë mënyrë por Sterling nuk e vërejti në atë moment”, nënvizoi Guardiola.

Trajneri katalanas shtoi se gjyqtarët kanë nevojë të ndihmohen për shkak se loja zhvillohet shumë shpejt ndërsa atyre i duhet të marrin një vendim brenda 5 sekondave, kurse vuri theksin edhe te mungesa e VAR-it në Champions League.

Manchester City udhëheq grupin F me 9 pikë, 3 më shumë se Lyoni që ndodhet në pozitën e dytë.