Guardiola kërkon më shumë nga Manchester City

Sipas Pep Guardiolas, Manchester City ka ende hapësirë për t’u përmirësuar pavarësisht se është i pamposhtur në Premier League.

City u rikthye në krye të tabelës me fitoren 0-1 ndaj Tottenhamit në “Wembley”, ndërsa diferencën e bëri goli i realizuar nga Mahrez.

Liverpooli dhe Chelsea janë dy skuadrat tjera që e ruajnë pathyeshmërinë, ndërsa Guardiola pretendon se duhet rritje e performancës së ekipit për të mbrojtur titullin kampion në ishull.

“Kemi shumë gjëra për t’i përmirësuar, në aspektin individual dhe kolektiv për të qenë konkurrent për titull. Sigurisht se jemi një skuadër e mirë, nuk e them të kundërtën, por kur kërkohet të jeni në nivelet më të larta në si Angli ashtu edhe në Europë duhet një qasje tjetër. Mendoj se sezonin e kaluar ishim më solid në mbrojtje duke pësuar pak gola e pak mundësi për kundërshtarët, sidoqoftë kur luan në “Emirates” apo “Wembley” patjetër se do të rrezikohesh”, u shpreh Guardiola.

Ish trajneri i Barcelonës e Bayernit nuk sheh dallime të mëdha prej kuadros së edicionit të kaluar me këtë aktualin teksa e përmendi vetëm Mahrezin si përforcim real.