Guardiola i gëzohet faktit se Bielsa do të punojë në Premier League

Pep Guardiola ka vlerësuar ndikimin e Marcelo Bielsas në futbollin botëror dhe ka thënë se do të jetë e jashtëzakonshme që ai do të punojë në Premier League edicionin e ardhshëm.

Bielsa ka udhëhequr Leedsin drejt titullit të kampionit në Championship dhe kthimit në Premier League. Leedsi kthehet pas 16 vjetësh mungesë.

Argjentinasi 64-vjeçar vlerësohet një prej trajnerëve më me ndikim në botën e futbollit. Guardiola e kishte vlerësuar atë si trajnerin më të mirë në botë në të kaluarën.

“Nuk kam qenë lojtarë i tij kështu që është vështirë për mua që të flas për të. Por i di referencat dhe ndikimin që ai ka pasur te mijëra lojtarët me të cilët ka punuar”, ka thënë Guardiola, raporton Sky Sports.

“Jam me fat që ndonjëherë e kam mundësinë të flas me të dhe të shoh atë. Ai është trajner autentik, pasi skuadra e asnjë menaxheri nuk luan si skuadra e tij. Asnjë nuk mund ta imitojë atë dhe kjo e bënë të veçantë. Për futbollin anglez do të jetë e jashtëzakonshme që ai do të jetë në Premier League në edicionin e ardhshëm dhe të mësoj për të”, ka shtuar Guardiola.