Sipas Pep Guardiolës, Jose Mourinho do të jetë në gjendje të rikthehet në majat e futbollit shumë shpejt, gjersa shtoi se rivaliteti mes tyre nuk ka përfunduar.
Rivaliteti i Guardiolës me Mourinhon filloi në sezonin 2010-2011, kur trajneri portugez u emërua trajner i Real Madrdit, ndërsa tekniku aktual i Manchester Cityt ndodhej në stolin e Barcelonës.
Guardiola i pati shkaktuar një humbje të thellë Mourinhos në ballafaqimin e parë të tyre, teksa katalanasit patën triumfuar 5-0, ndërsa “Blaugranat” e eliminuan Real Madridin edhe nga Champions League duke e mposhtur në gjysmëfinale.
Mourinho u revanshua disi duke e fituar Copa del Rey pikërisht përballë Barcelonës së Guardiolës.
Rivaliteti vazhdoi edhe kur dy trajnerët kaluan në qytetin e Manchesterit, me Mourinhon që u zgjodh trajner i Unitedit kurse Guardiola i Cityt, ndërsa pas dy viteve e gjysmë statistikat qëndrojnë në anën e Guardiolës që ka fituar 3 ndeshje, kurse Mourinho 2, nga 6 takime gjithsej.
Guardiola është i sigurtë se rivali i tij i madh do të arrijë të rikthehet në drejtimin e një skuadre të madhe.
“Kur këto gjëra ndodhin, çdo herë mërzitem për trajnerët. Ne trajnerët jemi të vetmuar, kur gjërat shkojnë keq ne jemi gjithmonë vetëm. Mourinho nuk ka nevojë për mua, ai është shumë i fortë, së shpejti do të rikthehet dhe ne do të përballemi sërish”, u shpreh Guardiola.
Mourinho u shkarkua nga detyra e trajnerit te Manchester Unitedi të martën në mesditë pas rezultateve të dobëta që kishin koleksionuar “Djajtë e Kuq” në ndeshjet e fundit.







