City

Guardiola: Edhe Chelsea e Manchester United janë në garë për titull në Premierligë

Trajneri i të kaltërve beson se është budallallëk të mendohet se në garë për titull janë vetëm skuadra e tij kampione dhe lideri aktual Liverpooli.
Manchester City do të përballet me sfida nga të gjitha anët për ta mbrojtur titullin në Premierligë, sipas Pep Guardiolës – i cili pohon se Chelsea dhe Manchester Unitedi mund të jenë në garë për titull, gjithashtu.

City do të udhëtojë drejt Evertonit të mërkurën – për ta zhvilluar ndeshjen e zhvendosur për këtë datë për shkak të pjesëmarrjes në finale të Carabao Cup në fund të këtij muaji – duke e ditur se fitorja do dërgojë në vendin e parë dhe do ta zbresë Liverpoolin në vendin e dytë në bazë të goldallimit.

Skuadra e Jurgen Kloppit i humbi katër pikë në dy ndeshjet e fundit pasi u ndal me barazime 1-1 nga Leicester City dhe West Hamit, derisa City e shkatërroi 3-1 Arsenalin këtë fundjavë.

“Unë kurrë nuk i largoj nga gara për titull pesë apo gjashtë skuadrat e para dhe Unitedi është duke fituar çdo javë. Ata do të luftojnë për titullin e Premierligës”, tha Guardiola.

“Ne mund ta shohim renditjen tabelore dhe t’i shohim dy apo tri ekipet e para dhe të themi ‘ata janë në gjendje të bëhen kampionë’, por nuk shohim më larg se kaq. Nëse Chelsea fiton ndeshje radhazi atëherë do të jetë konkurrent për ta fituar Premierligën”, shtoi ai.