Pep Guardiola e ka zhvendosur përqendrimin e tij te gara për titullin e Premierligës pasi Manchester City e zuri një vend në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve me barazimin 1-1 kundër Shakhtar Donetskut.
Një pikë i mjaftoi kampionit në fuqi të Anglisë për t’u kualifikuar në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve si fitues i Grupit C, me një ndeshje ende të mbetur deri në fund të fazës së grupeve.
Manchester City nuk e pati të lehtë ta gjejë veten në ndeshjen e së martës në Etihad, mirëpo kaloi në epërsi falë një goli të shënuar nga Ilkay Gundogan me 11 minuta të mbetur në pjesën e dytë të ndeshjes, para se Manor Solomon ta barazonte rezultatin.
Përkundër paraqitjes zhgënjyese të skuadrës së tij, që ia shkaktoi Cityt barazimin e dytë radhazi në skenën evropiane, Guardiola ishte i kënaqur që Manchester City e arriti kualifikimin në fazën e radhës.
“Ne u kualifikuam dhe luajtëm mirë në pjesën e dytë të ndeshjes. Pjesa e dytë ishte më e mirë sesa e para. Ne u rrezikuan vetëm nga pak kundërsulme”, ka thënë Guardiola, i cili i kishte fituar 12 ndeshjet paraprake kundër Shakhtarit.
“Në pjesën e parë, ne ishim të nxituar në lojën tonë dhe e humbnim topin. Por, në pjesën e dytë ishim më të matur dhe u përmirësuam. Unë kam luajtur kundër Shakhtarit shumë herë dhe ata kanë lojtarë cilësorë. Në përgjithësi, ne krijuam raste, por në fund na mjaftoi barazimi”.
“Tani e kemi një garë të përfunduar dhe përqendrimi ynë do të jetë te Premierliga, derisa t’i arrijmë ndeshjet e Kupës. Qëllimi ynë ishte të kualifikohemi dhe tashmë e kemi arritur këtë”.







