Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola përgëzoi futbollistët e tij për mposhtjen e frikës që e kishin para derbit me Manchester United, takim që përfundoi 3-1 për “Citizens”.

Goli i shënuar nga Ilkay Gundogan 5 minuta para fundit të ndeshjes i shuajti mundësitë e një rikthimi tjetër sensacional të “Djajve të Kuq”, sikur ai i prillit të këtij vitit kur përmbysën rezulatin dhe e fituan përballjen 2-3.

“Lojtarët dëshiruan të luajnë mirë para tifozëve tanë. Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes ndaj Unitedit. Ne nuk mund të harrojmë se në histori jemi gjithmonë prapa Unitedit. Është totalisht e kuptueshme të jesh nervoz në këtë përballje, veçanërisht pas asaj që ndodhi sezonin e kaluar. Por ne reaguam mirë dhe gol i Agueros na ndihmoi. Ne arritëm të bëjmë një ndeshje të mirë ndaj një kundërshtari të madh”, theksoi Guardiola.

Manchester City u rikthye lider në Premier League me 32 pikë dy më shumë se ndjekësi i parë Liverpooli.