Përparim Gruda

Gruda: Qeveria Kurti mbron të korruptuarit e sulmon prokurorinë – nuk kishte ndodhur kurrë më parë një gjë e tillë

Në emisionin EURO n’7 me Menduh Abazin është diskutuar sot për betejën e qeverisë me institucionet e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe sfidat e pushtetit për të kaluar filtrat e Kushtetueses me ligje të ndryshme.

Përparim Gruda, drejtues i departamentit për drejtësi në PDK, sulmet e qeverisë ndaj institucioneve të drejtësisë i përshkruan si jonormale, por thotë për një qeveri i cila ka sjellje autoritare kjo edhe mund të jetë normale.

“Qeveria jonë është populliste dhe në vazhdimësi sulmon gjyqësorin dhe institucionet e drejtësisë. Sulmi i qeverisë ndaj këtyre institucioneve ka degraduar, ka kaluar në një shkallë tjetër ku qeveria i merr në mbrojtje njerëzit e saj të akuzuar për korrupsion dhe i sulmon prokurorët, kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Rasti më i rënd që qeveria i del në mbrojtje të akuzuarit për korrupsion dhe sulmon prokurorin është ai ambasadorit Martin Berishaj dhe kryeshefit të KEK-ut. Vet kryeministri Kurti në seancë parlamentare ka mbrojtur kryeshefin e KEK-ut dhe ka sulmuar prokurorin, gjithçka ishte nga një kryeministër vetëm kjo jo”, ka thënë Gruda i PDK-së.

Kryeministri Kurti sipas Grudës ka bërë atë që nuk do të duhej ta bënte asnjë kryeministër normal, ngase korrupsioni për rastin e KEK-ut ishte shumë i dukshëm.

Gruda ka thënë se përveç kryeministrit edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në vazhdimësi sulmon prokurorët e gjyqtarët me emër dhe mbiemër dhe i komenton rastet e gjykatave, që Gruda thotë se është e paprecedent për një ministër të drejtësisë.

“Këto sulme që qeveria po ia bënë organeve të drejtësisë po bëhen me qëllim që të mbulohen gjitha dështimet e kësaj qeverie me reformu gjyqësorin, me përfundua procesin e vetingut dhe me pas sukses në luftën kundër korrupsionit, kjo qeveri nuk ka as strategji për luftën kundër korrupsionit, pra është shumë me lehtë me dal e me i akuzu organet e drejtësisë në përpjekje për me i mbulu dështimet e tyre”, ka shtuar Gruda.

VIDEO BONUS: