Ylli francez, Antoine Griezmann insiston se ai nuk është i obsesionuar me triumfin në garën për Topin e Artë, pavarësisht se llogaritet ndër favoritët.

Griezmann udhëhoqi Francën drejt suksesit në Kupën e Botës, ndërsa më herët i ndihmoi Atletico Madridit të fitojë Europa Leaguen, teksa e mbylli sezonin me 33 gola të shënuar me klubit dhe kombëtares.

27 vjeçari pas ndeshjes miqësore të fituar ndaj Uruguait u prononcua lidhur me këtë çështje.

“Dua ta fitojë Topin e Artë. Nuk jam i obsesionuar, kjo diskutohet nga njerëzit në Francë. Ata nuk e pëlqejnë që dikush të kërkojë suksese individuale. Por unë jam krenar që ndodhem në mesin e kandidatëve dhe shpresoj se do ta fitoj. Sigurisht se ka edhe futbollistë tjerë në garë që e meritojnë, të shohim se çfarë do të ndodh”, u shpreh Griezmann.

Sulmuesi i Atleticos ka rivalitet për këtë çmim edhe me bashkëlojtarin te Franca, Kylian Mbappe ndërsa favorit kryesor konsiderohet mesfushori i Real Madridit, Luka Modric.