Greta Thunberg kongresit amerikan: Nuk po mundoheni sa duhet, më vjen keq

Në një takim të task-forcës së Senatit për krizën e klimës, i cili u mbajt të martën, ligjvënësit amerikanë e vlerësuan lart punën e një grupi të aktivistëve të rinj. Ata më pas i pyetën të rinjtë për këshilla lidhur me atë se si Kongresi mund ta luftojë një nga kërcënimet më urgjente me të cilën përballen liderët botërorë – ndryshimet klimatike.

Greta Thunberg, aktivistja 16 vjeçe suedeze, e cila i ka motivuar të rinjtë në mbarë botën për të protestuar për më shumë masa për ta luftuar ndikimin e ngrohjes globale, në mënyrë të sjellshme ua rikujtoi politikanëve amerikanë se ajo është nxënëse, jo shkencëtare apo senatore.

“Ju lutem që t’i kurseni lavdërimet tuaja. Nuk i duam ato. Mos na ftoni këtu vetëm për të na treguar sa motivues jemi pa bërë asgjë për këtë çështje, sepse kjo nuk na dërgon askund. Nëse dëshironi këshilla për atë që duhet të bëni, ftojini shkencëtarët. Ne nuk duam të dëgjohemi, ne duam që shkenca të dëgjohet”, tha ajo.

“E di se jeni duke u munduar, por jo aq sa duhet. Më vjen keq”, shtoi aktivistja e re. Personat e pranishëm në sallë qeshën, ndërsa përkrahësit e saj filluan ta duartrokisnin.

Sidoqoftë, të ballafaquar me senatin e mbizotëruar nga republikanët dhe Shtëpinë e Bardhë me qëndrime të ashpra ndaj masave për mbrojtjen e klimës, mundësia që të merren masat e kërkuara nga aktivistët është e vogël, shkruan “The Guardian”.

loading…