Grenell sqaron pikën për Ujmanin: Liqeni ka pjesë edhe në Serbi, pjesa e madhe është në Kosovë

Emisari Special i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell në një intervistë për mediat amerikane ka shpjeguar marrëveshjen për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Grenell ka thënë se qëllimi i administratës Trump është të mundësojë investime amerikane në rajon për të larguar ndikimin rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor specifikisht në Serbi.

Diplomati amerikan poashtu ka thënë se pika ku flitet për Liqenin e Ujmanit ka të bëjë me studimin e fizibilitetit nga qeveria amerikane për të parë mundësitë e shfrytëzimit të ujit për qëllime energjetike.

“Ne do bëjmë një studim fizibiliteti të qeverisë amerikane në Liqen që është i shfrytëzuar nga dy shtetet, pjesa më e madhe nga Kosova dhe pjesërisht nga Serbia se si të gjendet mënyra për të shfrytëzuar ujin për çështje të energjisë”, ka thënë Grenell.

Ish-ambasadori amerikan në Gjermani ka thënë se dy shtetet janë pajtuar që t’i zgjerojnë burimet e tyre të energjisë.

“Dy shtetet janë pajtuar që t’i zgjerojnë burimet e tyre të energjisë që do të thotë se për Serbinë është shumë e rëndësishme pasi 100 për qind e energjisë së saj vjen nga Rusia dhe ata janë pajtuar që ta zgjerojnë burimin e tyre të energjisë që do të thotë të largohet nga Rusia”, teksa ka shtuar se lëvizja e ambasadave të Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem do të thotë lëvizje e rajonit të Ballkanit Perëndimor në anën e Perëndimit dhe qëndrimit larg Rusisë dhe Kinës.